Albi Mall Superliga e Kosovës vazhdon sot (e shtunë) me dy përballje në kuadër të xhiros së tetë, ku Vushtrria pret Gjilanin, ndërsa Drenica përballet me Feronikeli ’74.
Pas dy ndeshjeve të së premtes, ku u përballën Llapi me Ballkanin dhe Drita me Malishevën, kampionati kosovar vazhdon sot me dy duele të tjera.
Ndeshja e parë zhvillohet nga ora 14:00, ku Vushtrria do të jetë nikoqire e Gjilanit në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Të dyja skuadrat synojnë të marrin pikë të rëndësishme për të përmirësuar pozitat e tyre në tabelën e klasifikimit.
Ndërkohë, vëmendja do të zhvendoset në Skenderaj, ku nga ora 18:00 Drenica përballet me Feronikeli ’74 në stadiumin “Bajram Aliu”. Kjo përballje pritet të jetë e rëndësishme për të dyja ekipet, të cilat synojnë të shfrytëzojnë këtë xhiro për të avancuar në kampionat.
Xhiroja e tetë e Albi Mall Superligës do të përmbyllet të dielën me ndeshjen mes Prishtinës dhe Dukagjinit, e cila do të zhvillohet nga ora 18:00 në Kampin Nacional në Hajvali.





