Lionel Messi ka zhvilluar ndeshjen e fundit me fanellën e Argjentinës, duke i dhënë fund një kapitulli 21-vjeçar me kombëtaren që e shndërroi në një prej figurave më të mëdha të historisë së futbollit.
Në stadiumin Monumental të Buenos Airesit, përballë rreth 85 mijë tifozëve, Argjentina triumfoi 3-0 ndaj Beninit në një ndeshje miqësore, por vëmendja ishte e gjitha te kapiteni dhe numri 10.
Messi u largua nga kombëtarja me një rekord mbresëlënës: 208 paraqitje dhe 126 gola, ndërsa në vitet e tij me Argjentinën fitoi Kupën e Botës 2022 dhe dy herë Kupën e Amerikës.
Në përfundim të takimit, stadiumi u ngrit në këmbë për t’i dhënë lamtumirën legjendës. Bashkëlojtarët, stafi teknik, trajneri Lionel Scaloni dhe mijëra tifozë e rrethuan Messin në një moment të mbushur me emocione.
“Ka qenë një krenari e madhe të vesh këtë fanellë për më shumë se 20 vjet. Nuk kam pushuar kurrë së luftuari dhe nuk kam pushuar kurrë së dhëni më të mirën time. Do të doja shumë të kthehesha përgjithmonë, sepse të luash për ekipin kombëtar të Argjentinës është gjëja më e bukur që mund të të ndodhë”, u shpreh Messi para tifozëve.
Edhe në ndeshjen e tij të fundit, 39-vjeçari la gjurmën e tij. Argjentina kaloi në avantazh në minutën e 48-të, kur nga një goditje këndi e ekzekutuar nga Messi, Nicolás Otamendi realizoi me kokë.
Në minutën e 61-të, ishte sërish Messi protagonist, këtë herë duke asistuar për talentin e ri Nico Paz, i cili shënoi me të majtën. Dhjetë minuta më vonë, vetë Messi vulosi rezultatin 3-0 nga pika e bardhë.
Emocionet nisën që në minutat e para të takimit. Vetëm dhjetë minuta pas startit, gjyqtari ndali lojën për t’i dhënë mundësinë stadiumit të nderonte kapitenin argjentinas.
Për këtë sfidë të veçantë, Messi veshi një fanellë speciale të Argjentinës, me vija vertikale më të gjera, një diell të madh në dizajn dhe numrin e artë 10 në shpinë.
Më 31 gusht, Messi kishte njoftuar se do t’i jepte fund paraqitjeve të tij me kombëtaren, duke e mbyllur kështu një rrugëtim të jashtëzakonshëm që për vite me radhë ishte shoqëruar me pritshmëri, zhgënjime, triumfe dhe në fund me lavdinë e shumëpritur në Katar.
Pas ndeshjes, kapiteni argjentinas falënderoi bashkëlojtarët për gjithçka që kishin arritur së bashku dhe u bëri thirrje për unitet.
“Ne duhet të ndërtojmë një grup të fortë dhe të bashkuar, sepse ka njerëz që duan që ekipi kombëtar të dështojë dhe ne nuk duhet t’u japim atyre këtë kënaqësi”, tha Messi.
Por lamtumira e tij nuk nisi në fushën e Monumentalit. Përpara ndeshjes, Messi u nderua edhe me një doktoraturë nderi nga Universiteti i Buenos Airesit, një prej institucioneve më të rëndësishme publike të Argjentinës.
Vlerësimi iu dha në kompleksin stërvitor të kombëtares, në periferi të Ezeizës, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm me fanellën e Argjentinës dhe ndikimin që ka pasur brenda dhe jashtë fushës.
Pas më shumë se dy dekadash, 208 ndeshjesh, 126 golash dhe trofesh historikë, Messi i ka thënë lamtumirën Argjentinës.
Një epokë u mbyll në Monumental. Por historia e numrit 10 do të mbetet përgjithmonë pjesë e futbollit argjentinas.





