Kuvendi Komunal i Prizrenit ka miratuar unanimisht një deklaratë lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në deklaratë, Kuvendi thotë se respekton pavarësinë e gjyqësorit, por shpreh “mospajtimin e tij të thellë” me aktgjykimin e shpallur më 16 shtator 2026.
Kuvendi thekson se përgjegjësia penale është individuale dhe, sipas tij, nuk mund të shtrihet apo interpretohet si përgjegjësi kolektive e UÇK-së dhe e luftës së saj.
Po ashtu, Kuvendi i Prizrenit shpreh solidaritet me ish-drejtuesit e UÇK-së dhe familjet e tyre, ndërsa u bën thirrje qytetarëve që, pavarësisht dhimbjes dhe emocioneve, të ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe unitetin.
Në fund të deklaratës, Kuvendi i Prizrenit përcjell edhe mesazhin “JO NË EMRIN TIM!”, duke iu referuar formulimit “Në emër të popullit të Kosovës”, me të cilin është shpallur aktgjykimi.
Deklarata plotë:
DEKLARATË LIDHUR ME AKTGJYKIMIN NDAJ ISH-DREJTUESVE TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS
Kuvendi i Komunës së Prizrenit, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit, shpreh mospajtimin e tij të thellë me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të datës 16 shtator 2026, ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Kuvendi i Komunës së Prizrenit, rithekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte vazhdimësi e luftës për liri dhe çlirim, e lindur nga rrethanat e rënda të represionit, dhunës, vrasjeve dhe dëbimit të popullsisë shqiptare të Kosovës.
Kuvendi i Komunës së Prizrenit, konsideron se, për një dënim penal të kësaj peshe, përgjegjësia personale e secilit të akuzuar duhet të provohet me prova të qarta, konkrete, bindëse dhe përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Përgjegjësia penale është individuale dhe nuk mund të shtrihet apo të interpretohet si përgjegjësi kolektive e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e luftës së saj.
Kuvendi i Komunës së Prizrenit shpreh solidaritet me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, me familjet e tyre, si dhe me të gjithë ata që këtë proces e kanë përjetuar me dhimbje dhe shqetësim.
Kuvendi i Komunës së Prizrenit, nderon sakrificën e dëshmorëve, martirëve, veteranëve, invalidëve të luftës dhe të gjithë qytetarëve të Prizrenit dhe Kosovës që kontribuan për lirinë e vendit, duke vlerësuar ruajtjen e kujtesës historike dhe të vlerave të luftës së UÇK-së si përgjegjësi institucionale dhe shoqërore.
U bëhet thirrje qytetarëve të Prizrenit dhe të gjithë Kosovës që, përkundër dhimbjes dhe emocioneve të forta, ta ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe unitetin, duke shprehur qëndrimet e tyre në mënyrë paqësore dhe institucionale.
Duke pasur parasysh se aktgjykimi u shpall me formulimin “Në emër të popullit të Kosovës”, Kuvendi i Komunës së Prizrenit përcjell qartë mesazhin e qytetarëve të tij: “JO NË EMRIN TIM!”





