Rrëzohet helikopteri mjekësor pak pas ngritjes në Kaliforni: Dy të vdekur, dy të lënduar dhe një person i zhdukur

Dy persona kanë vdekur, dy të tjerë janë plagosur dhe një person rezulton i zhdukur pasi një helikopter mjekësor u rrëzua në ujërat pranë ishullit Santa Catalina në Kaliforni, pak pas ngritjes të mërkurën në mbrëmje.

Helikopteri i Shërbimeve Mjekësore Ajrore REACH, me pesë persona në bord, u rrëzua pranë platformës së uljes së helikopterëve në Pebbly Beach, rreth një milje nga Avalon, pak pas orës 19:50, sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Qarkut të Los Angelesit.

Autoritetet arritën të nxjerrin katër persona nga vendi i ngjarjes dhe t’i dërgojnë në spital. Dy prej tyre humbën jetën, ndërsa dy të tjerët u raportuan në gjendje të qëndrueshme. Një person i pestë mbetet i zhdukur dhe operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vijuar në zonë.

Shkaku i rrëzimit ende nuk është bërë i ditur. Helikopteri ishte nisur nga ishulli dhe u rrëzua menjëherë pas ngritjes. Ekipet e Rojës Bregdetare amerikane, Sherifit të Qarkut të Los Angelesit dhe Zjarrfikësve të Avalonit morën pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit.

Mbikëqyrësja e Qarkut të Los Angelesit, Janice Hahn, e cila përfaqëson Ishullin Catalina, reagoi pas incidentit.

“Jam informuar se një helikopter mjekësor që po largohej nga Ishulli Catalina është rrëzuar menjëherë pas ngritjes. Zjarrfikësit e Qarkut të Los Anxhelosit, Sherifi, Roja Bregdetare dhe Zjarrfikësit e Avalonit janë në vendngjarje. Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke u zhvilluar dhe po lutem për të gjithë ata që ishin në bord”, tha ajo.

Kompania Global Medical Response, e cila zotëron helikopterin, konfirmoi se ishte në dijeni të incidentit dhe se po bashkëpunonte me autoritetet dhe ekipet e emergjencës. Kompania nuk dha detaje të tjera për ngjarjen.

Në operacion janë përfshirë ekipe zhytjeje, avionë dhe anije, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e rrëzimit.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA