Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për shqyrtimin e mëtejshëm të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë”, në segmentin Banullë-Bresalc, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë tha se propozimi i miratuar mundëson vazhdimin e procedurave për shpronësimin e pronave që preken nga ky projekt.
“Shqyrtimi i propozim-vendimit për shqyrtimin e mëtejshëm të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, që preken nga realizimi i projektit ‘Ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan dhe Dheu i Bardhë’, segmenti Banullë-Bresalc. Autostrada Prishtinë-Gjilan dhe Dheu i Bardhë synon të përmirësojë lidhjen me rajonin e Gjilanit dhe me pikën kufitare të Dheut të Bardhë. Propozimi i sotëm lejon shqyrtimin e mëtejshëm të kërkesës për shpronësimin e pronave në zonën kadastrale Banullë të Komunës së Lipjanit, të nevojshme për segmentin Banullë-Bresalc”, tha Kurti.
Zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Driton Hyseni tha se vendimi mundëson fillimin e procedurës së shpronësimit për interes publik të pronave që preken nga realizimi i projektit.
“Atëherë të nderuar kolegë, duke ju falënderuar për konfirmimet e vendimeve për të gjitha pikat deri tani edhe për këtë pikë ju lus miratimin e juaj, sepse ky vendim e mundëson fillimin e procedurës së shpronësimit për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i projektit ‘Ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë’, në segmentin Banullë-Bresalc, pra të zonës kadastrale Banullë, Komuna e Lipjanit. Ky projekt, siç e dini, ka rëndësi të veçantë për përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe lehtësimin e qarkullimit ndërmjet rajoneve tona. Gjithashtu, krijon edhe mundësi të zhvillimit të mëtejshëm ekonomik. Andaj, duke llogaritur rëndësinë e këtij projekti, ju lus për këtë pikë ta miratoni”, tha Hyseni.





