Një ushtar izraelit, djali i ambasadorit të Izraelit në Shtetet e Bashkuara, u plagos rëndë të mërkurën në një sulm me automjet në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftuan autoritetet izraelite.
Ngjarja ndodhi në një pikë kontrolli izraelite pranë vendbanimit hebre Beit Horon, në perëndim të Ramallahut. Ambasadori izraelit në Shtetet e Bashkuara, Yechiel Leiter, konfirmoi se ushtari i plagosur ishte djali i tij, Neria.
Sipas policisë izraelite, një burrë me automjet “u vërsul drejt” një oficeri policie dhe një ushtari që po kontrollonin automjetet, përpara se të “eliminohej”.
Shërbimi izraelit i emergjencës Magen David Adom njoftoi se ushtari, rreth 30 vjeç, ndodhet “në gjendje të rëndë”.
“Ne i dhamë ndihmën emergjente përpara se ta transportonim në spital”, njoftoi shërbimi.
“Neria ka nevojë për një mrekulli”, shkroi ambasadori Leiter në X.
Ai tha se djali i tij kishte vazhduar të shërbente si rezervist edhe pasi vëllai i madh, Moshe Yedidya Leiter, ishte vrarë gjatë luftimeve në Rripin e Gazës në nëntor 2023.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu reagoi gjithashtu pas sulmit.
“Unë dhe bashkëshortja ime, së bashku me të gjithë popullin e Izraelit, lutemi që të ndodhë një mrekulli”, shkroi Netanyahu në X.
Ambasadori izraelit, i cili pritej të merrte pjesë në fjalimin e Netanyahut në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të enjten, u largua nga Shtetet e Bashkuara për t’u kthyer në Izrael, sipas transmetuesit publik izraelit Kan.
Ndërkohë, Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se një palestinez 29-vjeçar ishte vrarë nga ushtria izraelite në të njëjtën zonë.
Sulmi ndodh në një periudhë tensionesh të larta në Bregun Perëndimor të pushtuar. Sipas një përllogaritjeje të AFP-së, bazuar në të dhënat e Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, ushtrisë dhe kolonëve, më shumë se 1,100 palestinezë, luftëtarë dhe civilë, janë vrarë në Bregun Perëndimor që prej 7 tetorit 2023.





