Dy gola, një paraqitje mbresëlënëse dhe një tjetër vlerësim për sulmuesin e FC Prishtinës.
Assane Diatta ka marrë vëmendjen e radhës në elitën e futbollit kosovar, duke u shpallur “Ylli i Javës” pas përfundimit të xhiros së gjashtë të Albi Mall Superligës.
Çmimi tradicional, i organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të kampionatit, Albi Mall, i është ndarë kësaj radhe futbollistit të FC Prishtinës, pas një paraqitjeje vendimtare në fitoren 3:0 ndaj FC Feronikelit 74.
Diatta ishte protagonist i padiskutueshëm i kësaj sfide, duke realizuar dy nga tre golat e Prishtinës dhe duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm gjatë 92 minutave në fushë.
Performanca e tij ndihmoi Prishtinën të arkëtojë tri pikë të rëndësishme, të cilat e ngjitën skuadrën në krye të tabelës së Albi Mall Superligës.
Me golat, energjinë dhe ndikimin e tij në lojën e skuadrës, Diatta u vlerësua si një nga figurat kryesore të xhiros, duke merituar kështu çmimin “Ylli i Javës”.
Përzgjedhja e fituesit është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili vlerësoi paraqitjen e sulmuesit të Prishtinës si më të dalluarën e kësaj jave.





