Tenistja Elena Rybakina ka bërë historinë në US Open, duke u kualifikuar në gjysmëfinale të turneut, ndërsa nga e hëna do të jetë zyrtarisht numri një në botë.
Rybakina, aktualisht e dyta në renditjen botërore, mposhti në çerekfinale kinezen Qinwen Zheng, në një ndeshje që nuk nisi aspak mirë për të.
Zheng fitoi setin e parë me rezultatin 6-3, por Rybakina reagoi fuqishëm në vazhdim. Ajo dominoi setin e dytë, të cilin e fitoi 6-1, ndërsa në setin vendimtar tregoi qetësi dhe përvojë, duke triumfuar 6-4.
Me këtë sukses, Rybakina siguroi jo vetëm një vend në katërshen më të mirë të turneut, por edhe kreun e renditjes botërore.
Të hënën, kur të publikohet renditja e re e tenisteve, 27-vjeçarja do të bëhet numri një në botë, duke zbritur nga froni bjellorusen Aryna Sabalenka.
Ky është një tjetër kapitull historik në karrierën e Rybakinës, e cila tashmë ka dy tituj të turneve Grand Slam, Wimbledonin në vitin 2022 dhe Australian Open në vitin 2026.
Por objektivi i saj në New York është edhe më i madh.
Për një vend në finalen e US Open, Rybakina do të përballet me amerikanen Coco Gauff.
Gauff siguroi biletën për në gjysmëfinale pasi mposhti Mirra Andreevën me rezultatin 2-6, 7-6 dhe 6-2.
Kështu, skena është gati për një përballje të madhe mes dy prej tenisteve më të forta të momentit.
Rybakina tashmë e ka siguruar majën e botës, por në New York kërkon edhe trofeun.





