Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka njoftuar se ka lëshuar raketa balistike drejt një baze të përdorur nga ushtria amerikane në Jordani, ndërsa ka deklaruar se ka sulmuar edhe 10 anije në zonën e Ngushticës së Hormuzit.
Sulmet vijnë një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë shkatërruar pesë cisterna iraniane të naftës. Përplasjet e fundit kanë ndërprerë një periudhë relativisht të qetë, duke prekur drejtpërdrejt objektivat ushtarake, transportin detar dhe infrastrukturën energjetike.
Sipas Gardës Revolucionare Iraniane, raketat balistike u drejtuan ndaj një baze pranë Al Azras në Jordani, e cila përdoret nga forcat amerikane, raportoi Reuters.
Një zyrtar amerikan deklaroi se sulmi ishte joefektiv dhe se të gjithë trupat amerikane në bazë ishin të sigurt.
Sulmi në Jordani shënon një tjetër përballje të drejtpërdrejtë të Iranit me objektivat amerikane në rajon. Teherani ka goditur më herët edhe pozicione amerikane në Jordani, ndërsa një sulm në korrik kishte shkaktuar vdekjen e të paktën dy pjesëtarëve të ushtrisë amerikane.





