José Mourinho e ka nisur rikthimin e tij në stolin e Real Madridit me një deklaratë të fortë për mënyrën se si Vinicius Jr po trajtohet nga kundërshtarët në La Liga.
Pas fitores 2-1 ndaj Espanyolit, trajneri portugez foli hapur për ndërhyrjet dhe provokimet ndaj sulmuesit brazilian, duke pranuar se Vinicius nuk është pa të meta, por duke theksuar se ajo që po ndodh ndaj tij ka kaluar çdo kufi.
“Vinicius? Ai nuk është një shenjtor, por ajo që po i bëjnë është e tepërt. E godasin dhe kjo është shumë zhgënjyese. Ai duhet të ketë një kontroll të madh emocional. Është një situatë e vështirë. Kjo është bullizëm”, deklaroi Mourinho.
Trajneri i Real Madridit theksoi se Vinicius duhet të ruajë qetësinë dhe vetëpërmbajtjen, pavarësisht presionit të madh që përjeton në çdo ndeshje. Sipas Mourinhos, kundërshtarët shpesh tentojnë ta provokojnë brazilianin dhe ta nxjerrin nga loja e tij, duke krijuar tension të panevojshëm në fushë.
Fitorja ndaj Espanyolit ishte një start pozitiv për Mourinhon në rikthimin e tij në drejtimin e Real Madridit. Ndeshja ishte veçanërisht e rëndësishme për trajnerin portugez, i cili është rikthyer në klub me synimin për të rikthyer skuadrën në majat e futbollit spanjoll dhe evropian.





