Islam Makhachev shkruan historinë në UFC, thyen rekordin e Anderson Silvas

Islam Makhachev vazhdon të shkruajë historinë në UFC. Kampioni i kategorisë welterweight mposhti Ian Machado Garry me vendim unanim në duelin kryesor të UFC 330, duke regjistruar fitoren e 17-të radhazi dhe duke vendosur një rekord të ri në organizatën më të madhe të arteve marciale të përziera.

Makhachev triumfoi me rezultat 49-46, 49-46 dhe 48-47 pas pesë raundeve të luftës, duke mbrojtur me sukses titullin e botës në peshën 77 kilogramë.

Përballja ishte e luftuar, ndërsa rusi e përfundoi duelin me disa dëmtime në fytyrë, përfshirë një mavijosje të madhe në faqen e majtë, si dhe dëmtime në hundë, faqe dhe ballë. Megjithatë, ai arriti ta kontrollojë luftën në momentet më të rëndësishme.

Makhachev ishte pranë fitores me nokaut në raundin e dytë, kur një goditje e fuqishme me këmbë në kokë e rrëzoi Machado Garryn. Kampioni tentoi menjëherë ta mbyllte duelin me një seri goditjesh, por irlandezi arriti të rezistojë dhe ta përfundojë raundin.

Machado Garry reagoi në raundin e tretë, të cilin e fitoi në të trija kartelat e gjyqtarëve. Ai pati gjithashtu një paraqitje të mirë në raundin e pestë, ku regjistroi shtatë goditje domethënëse, ndërsa Makhachev nuk pati asnjë goditje të tillë.

Megjithatë, kjo nuk ishte e mjaftueshme për t’i shkaktuar humbjen kampionit.

Me këtë fitore, Makhachev çoi rekordin e tij në 29 fitore dhe vetëm një humbje, ndërsa arriti në 17 triumfe radhazi në UFC. Kështu, ai theu rekordin e Anderson Silvas, i cili kishte regjistruar 16 fitore radhazi në organizatë.

Rusi nuk ka humbur që nga viti 2015 dhe vazhdon të konfirmojë statusin e një prej luftëtarëve më të suksesshëm të gjeneratës së tij.

“Ai ma vështirësoi shumë luftën, por unë e dëshmoj këtë në çdo përballje”, deklaroi Makhachev pas duelit.

Në anën tjetër, Machado Garry e pranoi humbjen pa justifikime dhe vlerësoi paraqitjen e kundërshtarit.

“Besova me gjithë zemër dhe shpirt se isha më i mirë se ai sonte, por ai fitoi. Nuk kam ankesa dhe as justifikime”, tha irlandezi.

Makhachev, i cili më parë ka dominuar edhe kategorinë lightweight, tashmë ka shkruar një tjetër kapitull të rëndësishëm në karrierën e tij, duke u bërë luftëtari me më së shumti fitore radhazi në historinë e UFC-së.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA