Kolegji AAB

Evropa në flakë, në Francë “lumë” arrestimesh për zjarret

Gati 500 persona janë arrestuar në Francë nën dyshimin se kanë shkaktuar zjarre që nga fillimi i verës, ndërsa zjarrfikësit në disa vende evropiane po përballen me vatra të fuqishme zjarri, në kohën kur kontinenti po përfshihet nga një valë rekord e të nxehtit.

Ministria e Brendshme e Francës ka njoftuar se që nga 1 korriku janë ndaluar 474 persona, përfshirë 183 të mitur, për shkak të zjarreve pyjore në vend.

Rreth 70 për qind e të arrestuarve dyshohet se i kanë shkaktuar zjarret qëllimisht, ndërsa pjesa tjetër dyshohet se i kanë shkaktuar aksidentalisht. Mediat franceze raportuan se një 15-vjeçar ishte ndaluar në lidhje me një zjarr pranë aeroportit të Bordeauxit, i cili në korrik la të vdekur dy zjarrfikës.

Vetëm të premten, autoritetet franceze evakuuan më shumë se 525 persona nga fshati Luglon, pasi një zjarr i ri përfshiu rreth 1,100 hektarë pyll në më pak se 24 orë, i nxitur nga temperaturat e larta.

Zjarri në Kroaci lë një të vdekur dhe dhjetëra të lënduar

Një zjarr i fuqishëm përfshiu të premten shtëpitë në zonën turistike të Lokva Rogoznicës në Kroaci, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e 40 të tjerëve.

Rreth 1,200 persona u detyruan të evakuohen, ndërsa në qytetet përreth u hapën qendra emergjente për strehim.

Policia kroate njoftoi se gjatë kërkimeve në zonat e djegura u gjet trupi i pajetë i një personi.

Nga 36 persona që u trajtuan nga shërbimet e ambulancës në Split, 14 u shtruan në spital dhe shtatë prej tyre ishin në gjendje të rëndë për jetën, thanë zyrtarët shëndetësorë lokalë.

Kryeministri kroat e përshkroi zjarrin, i cili u përhap deri në Omiš, si “një nga zjarret më të këqija të viteve të fundit”.

Mijëra evakuohen në Gjermani

Në Gjermaninë perëndimore, më shumë se 2,000 persona u larguan nga shtëpitë e tyre herët të premten dhe u strehuan në një shkollë fillore, pasi një zjarr në pyllin Hürtgen u përhap deri në disa qindra metra nga fshati Gey.

Situatën e ndërlikuan edhe municionet e pashpërthyera të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore.

Ndërkohë, qindra persona të tjerë u evakuuan nga zona të rrezikuara në Francë dhe Gjermani, ndërsa autoritetet në vende të tjera evropiane po përballen me zjarre të mëdha.

Spanja dhe Greqia përballen me zjarre të fuqishme

Në jug të Spanjës, një zjarr i madh u përkeqësua të enjten. Deri tani janë djegur rreth 31 mijë hektarë në provincën Huelva, ndërsa rreth 700 persona janë detyruar të evakuohen.

Në Spanjë, ushtria është angazhuar gjithashtu për të mbrojtur objekte historike të rrezikuara nga flakët.

Në Greqinë veriore, rreth 500 pushues u evakuuan të enjten nga plazhet me anë të varkave të vogla, pasi një zjarr pyjor kërcënoi resortet Siviri dhe Fourka në gadishullin Halkidiki, në jug të Selanikut.

Për pjesën më të madhe të territorit të Greqisë u lëshua alarmi maksimal, i nivelit të pestë, për rrezikun nga zjarret. Autoritetet lokale në Halkidiki ndaluan qasjen në pyjet e dendura me pisha.

Në Mbretërinë e Bashkuar, zjarret u përhapën me shpejtësi në West Midlands, duke djegur disa shtëpi.

Evropa përballet me temperatura ekstreme

Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike po shkaktojnë ngjarje më të shpeshta dhe më ekstreme të motit, duke tharë tokat dhe rrjedhat ujore, duke nxitur përhapjen e zjarreve dhe duke shkaktuar mijëra vdekje në Francë.

Evropa po ngrohet me një ritëm rreth dy herë më të shpejtë se mesatarja globale.

Shërbimi i BE-së për ndryshimet klimatike, Copernicus, paralajmëroi në parashikimin e tij javor për kushte “shumë ekstreme” në një zonë të gjerë të Evropës Qendrore dhe Lindore. Zona të tjera me rrezik të lartë janë identifikuar në jug të Britanisë, Irlandë, Francën veriore dhe Suedinë jugore.

Temperatura mesatare maksimale në Evropën Perëndimore të premten ishte parashikuar të arrinte 31.2 gradë Celsius, rreth 8 gradë më shumë se temperatura tipike në periudhën 1961–1990. Për Evropën në tërësi, temperatura ishte 1.6 gradë mbi normalen e së njëjtës periudhë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA