Klubi belg, Sint-Truiden, ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e përhershëm të sulmuesit anësor shqiptar, Arbnor Muja, nga Samsunspor.
Pas një huazimi njëvjeçar, Sint-Truiden ka vendosur të blejë përfundimisht kartonin e futbollistit shqiptar nga klubi turk. Paraqitjet e tij pozitive gjatë sezonit duket se kanë bindur drejtuesit e klubit belg për ta bërë marrëveshjen të përhershme.
Muja zhvilloi 28 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar gjashtë gola dhe dhënë dy asistime. Këto statistika kanë qenë të mjaftueshme që Sint-Truiden të vendoste për blerjen përfundimtare të tij.
Transferimi është konfirmuar nga faqja zyrtare e klubit belg, e cila ka bërë të ditur gjithashtu se Muja do të vazhdojë të mbajë fanellën me numër 7.
“STVV blen përgjithmonë Arbnor Mujën nga Samsunspor”, shkruan klubi belg në njoftimin e tij zyrtar.
Kujtojmë se Muja ka luajtur më herët për Trepçën, Trepçën ’89, Skënderbeun, Dritën dhe Royal Antwerp, përpara transferimit te Samsunspor.





