Mesfushori spanjoll, Rodri, ka ndërmarrë hapa konkretë për të përshpejtuar transferimin e tij te Barcelona gjatë këtij afati kalimtar të verës.
Sipas raportimeve të gazetës Sport, objektivi kryesor i katalanasve ka kërkuar leje nga Manchester City për të mos marrë pjesë në stërvitje. Rodri duhej të rikthehej të premten në detyrat e klubit pas përfundimit të pushimeve, por duket se dëshira e tij është të përshpejtojë sa më shumë largimin drejt Camp Nout.
30-vjeçari raportohet se tashmë ka arritur marrëveshje për kushtet personale me Barcelonën dhe dëshiron të bashkohet me klubin katalanas. Megjithatë, pengesa kryesore mbetet marrëveshja mes dy klubeve.
Barcelona ka parë të refuzohen ofertat e saj të mëparshme nga Manchester City. Propozimi i fundit ishte rreth 60 milionë euro, ndërsa City kërkon një shumë më të lartë për të lejuar largimin e mesfushorit spanjoll.
Pavarësisht diferencave financiare, Barcelona nuk ka hequr dorë dhe po përgatit një ofertë të fundit. Raportimet e fundit bëjnë me dije se katalanasit mund të ofrojnë rreth 70 milionë euro, të ndara në 60 milionë euro pagesë fikse dhe 10 milionë euro në bonuse.
Tashmë topi është në fushën e Manchester Cityt. Rodri po shtyn për një transferim te Barcelona, ndërsa klubi katalanas shpreson që oferta e fundit të jetë e mjaftueshme për të arritur marrëveshjen dhe për ta sjellë mesfushorin spanjoll në Camp Nou.





