Cristiano Ronaldo ka shprehur ngushëllimet e tij për Lionel Messin pas ndarjes nga jeta të babait të yllit argjentinas, Jorge Messi.
Edhe pse karrierat e tyre janë shoqëruar për vite me një rivalitet të jashtëzakonshëm, dy prej futbollistëve më të mëdhenj në histori kanë treguar vazhdimisht respekt për njëri-tjetrin. Këtë herë, Ronaldo zgjodhi të jetë pranë Messit në një prej momenteve më të vështira të jetës së tij.
Messi kishte ndarë me ndjekësit një mesazh të ndjerë për babain e tij, duke kujtuar rolin e rëndësishëm që Jorge Messi kishte pasur jo vetëm në jetën e tij, por edhe në ndërtimin e karrierës së tij futbollistike.
Në mesin e reagimeve të shumta ndaj postimit të Messit ishte edhe ai i Cristiano Ronaldos, i cili i dërgoi një mesazh të shkurtër, por shumë domethënës.
“Një përqafim i madh për ty dhe të dashurit e tu në këto momente të vështira, Leo. Qëndro i fortë”, shkroi Ronaldo.
Në mesazhin e tij të gjatë, Messi e përshkroi babain si “baba, mik dhe menaxher”, duke nënvizuar ndikimin që Jorge kishte pasur në çdo hap të rrugëtimit të tij.
“Ti ishe babai im, miku dhe menaxheri im. Gjithmonë ishe personi që duhej të ishe në çdo moment dhe nuk gabove kurrë”, kishte shkruar Messi.
Argjentinasi foli edhe për mënyrën se si do ta mbajë gjallë kujtimin e të atit përmes fëmijëve të tij.
“Do të më mungosh shumë, por do të jesh gjithmonë i pranishëm, veçanërisht në rritjen e fëmijëve të mi, sepse unë i rris dhe i mësoj ashtu siç bëtë ti dhe nëna me mua. Pusho në paqe dhe kujdesu për ne atje lart, ashtu siç bëre këtu. Faleminderit për gjithçka. Të dua, babi”, përfundoi Messi.
Mesazhi i Ronaldos është një tjetër dëshmi se, pavarësisht rivalitetit legjendar që i ka ndarë në fushën e futbollit, në momente të tilla njerëzore respekti mes dy ikonave kalon përtej sportit.
Ronaldo dhe Messi kanë shkruar së bashku një nga kapitujt më të paharrueshëm të historisë së futbollit, ndërsa ky gjest tregon edhe një herë anën njerëzore të rivalitetit të tyre.





