Paris Saint-Germain ka përpara një objektiv të jashtëzakonshëm në sezonin 2026/27. Kampionët në fuqi të Evropës synojnë të shkruajnë historinë duke fituar për të tretën herë radhazi trofeun e Ligës së Kampionëve, një arritje që deri më tani e ka realizuar vetëm Real Madrid.
Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, e di mirë madhështinë e sfidës që e pret skuadrën e tij, por beson se pikërisht ky objektiv mund t’i japë ekipit motivimin maksimal.
“Unë përqendrohem në rikthimin e dëshirës për të fituar përsëri. Është e vështirë të vazhdosh të fitosh. Tani kemi një sfidë unike, diçka praktikisht të papërsëritshme në historinë e futbollit evropian: të barazohemi me Real Madridin, nëse arrijmë të fitojmë Ligën e Kampionëve për herë të tretë radhazi”, deklaroi Enrique.
Trajneri spanjoll, i cili tashmë ka tri trofe të Ligës së Kampionëve në karrierën e tij si trajner, e pranon se PSG-ja tashmë shihet ndryshe në Evropë.
“Askush në histori nuk ka fituar tri herë radhazi, përveç Real Madridit. Ne mund ta barazojmë këtë arritje. Por nuk mendoj se ka ndonjë skuadër në Evropë më të motivuar se ne”, shtoi ai.
Sipas Enrique, ndryshimi i statusit të PSG-së është një tjetër dëshmi e progresit të klubit në vitet e fundit. Nga një skuadër që dikur shihej larg favoritëve kryesorë, Parisi tashmë konsiderohet ndër ekipet që synojnë trofeun më të madh evropian.
“Askush nuk e përjashton më Paris Saint-Germain. Dy vite më parë, ishte e vështirë të na vendosnin mes favoritëve. Tani, askush nuk do të thoshte se Paris Saint-Germain nuk është favorit”, theksoi trajneri.
Megjithatë, Enrique e di se të qëndrosh në majë është shumë më e vështirë sesa të arrish atje.
“Ky është një pozicion që e kemi merituar, por nëse duam ta ruajmë, duhet të punojmë edhe më shumë”, përfundoi Luis Enrique.
Tashmë, PSG-së i mbetet të tregojë në fushë nëse mund ta shkruajë emrin e saj përkrah Real Madridit dhe të realizojë një prej arritjeve më të rralla në historinë e Ligës së Kampionëve.





