Armando Broja nuk ishte mes zgjedhjeve të Bërnlit për ndeshjen e “Carabao Cup” ndaj Notts County, ku skuadra e Premier League siguroi kualifikimin pas goditjeve të penalltive.
Mungesa e sulmuesit shqiptar vjen në një moment kur situata e tij te Bërnli mbetet e paqartë. Dy javë më parë, trajneri Niki Hajen bëri të ditur se Broja po përballej me një dëmtim dhe se do të mungonte për disa javë.
“Broja ka një dëmtim të lehtë, ndaj do të mungojë për disa javë”, ishte shpjegimi i trajnerit belg për gjendjen e sulmuesit shqiptar.
Tashmë, Broja vijon të jetë jashtë fushës dhe nuk u përfshi në sfidën e Kupës ndaj Notts County. Në të njëjtën kohë, në mediat britanike kanë qarkulluar vazhdimisht zëra për një largim të mundshëm të tij nga Bërnli.
Sulmuesi shqiptar iu bashkua klubit pas një investimi prej 20 milionë paundësh. Bërnli pagoi këtë shumë për Çelsin në një transferim që u realizua pasi Broja nuk ishte më pjesë e planeve të klubit londinez.
Pavarësisht investimit të madh, aventura e sulmuesit shqiptar te Bërnli nuk ka marrë ende drejtimin e pritur. Dëmtimi i fundit ka ndikuar në aktivizimin e tij, ndërsa pasiguria për të ardhmen vazhdon të jetë e pranishme.
Mbetet për t’u parë nëse Broja do të rikthehet në planet e trajnerit Hajen pas rikuperimit apo nëse merkatoja do të sjellë një tjetër kapitull në karrierën e tij.
Në sfidën ndaj Notts County, Bërnli e siguroi kualifikimin pas goditjeve të penalltive, ndërsa Broja e ndoqi takimin jashtë fushës.





