Ardon Jashari: Dua të fitojmë çdo ndeshje, shpresoj të luaj më shumë me Modriçin

Mesfushori shqiptar i Milanit, Ardon Jashari, ka dhënë një intervistë të gjatë për Gazzetta dello Sport, ku ka folur për pritshmëritë e tij për sezonin e ri, bashkëpunimin me Luka Modriçin dhe spekulimet për të ardhmen.

Jashari u shpreh optimist për sezonin e ri, duke theksuar se ndihet i motivuar dhe beson se skuadra mund të zbatojë stilin e lojës që kërkon trajneri Ruben Amorim.

“Pas Kupës së Botës dhe pushimeve kam një energji të re. Sapo kam mbërritur, por mendoj se e kam kuptuar të paktën pjesërisht stilin e lojës që ai dëshiron të luajë. Më pëlqen futbolli me intensitet të lartë dhe mendoj se mund ta vëmë në praktikë sepse kemi cilësinë. Milani duhet të luajë në këtë mënyrë dhe të fitojë”, deklaroi Jashari.

Ai theksoi se objektivi i skuadrës është të fitojë sa më shumë ndeshje.

“Duam të fitojmë çdo ndeshje, sepse ky është mentaliteti që duhet të kemi në fushë. Nëse e bëjmë këtë, do të jemi në krye të tabelës. Megjithatë, tani nuk është koha të flasim për Scudetton. Duhet të ndërtojmë një mentalitet fitues dhe të shijojmë futbollin. Nëse i kombinojmë këto dy elemente, do të kemi gjithçka që na duhet për të arritur sukses”, shtoi ai.

Duke folur për garat evropiane, Jashari tha se skuadra do ta trajtojë me seriozitet Ligën e Evropës.

“Sigurisht që do të donim të luanim në Ligën e Kampionëve, por tani duhet të përgatitemi sa më mirë për Ligën e Evropës. Edhe atje objektivi ynë është të fitojmë. Do të përballemi me skuadra shumë të forta, por duhet të përqendrohemi te vetja”, u shpreh mesfushori.

Jashari foli edhe për sezonin e kaluar, duke pranuar se nuk shkoi sipas pritshmërive të tij.

“Ishte sezoni im i parë me Milanin dhe në Itali. Për më tepër, pata një dëmtim në fibulë dhe nuk luajta aq sa kisha shpresuar. Tani dua vetëm të shpreh potencialin tim maksimal. Më duhet vazhdimësi dhe besim për të treguar se çfarë mund të bëj. Kur të jem në formën time më të mirë, jam i bindur se do t’i bëj tifozët të lumtur dhe do ta ndihmoj ekipin me cilësitë e mia”, deklaroi ai.

Mesfushori shqiptar u ndal edhe te partneriteti me Luka Modriçin, duke e cilësuar kroatin një vlerë të madhe për skuadrën.

“Për mua nuk është aspak problem. Përkundrazi, është një lajm shumë i mirë. Të gjithë duhet të jemi krenarë që kemi një lojtar si Luka në ekip. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me të edhe jashtë fushës dhe shpresoj të luajmë më shumë së bashku këtë sezon. Në minutat që luajtëm bashkë ndjeva sinjale shumë pozitive”, tha Jashari.

I pyetur për spekulimet që e lidhnin me Atalantën dhe Juventusin gjatë verës, ai e bëri të qartë se dëshira e tij ka qenë të vazhdojë te Milani.

“E realizova një ëndërr kur iu bashkova Milanit, sepse gjithmonë kam qenë tifoz i këtij klubi. Doja ta vishja këtë fanellë dhe të tregoja cilësitë e mia në ‘San Siro’. Në futboll je vërtet i lumtur kur luan, ndaj këtë sezon shpresoj ta ndihmoj ekipin dhe të jap maksimumin. Jam i bindur se edhe klubi mendon njësoj”, përfundoi Jashari.

Ardon Jashari iu bashkua Milanit verën e kaluar dhe sezoni i tij i parë u ndikua nga një dëmtim në fibulë, si dhe nga konkurrenca e madhe në repartin e mesfushës. Përpara nisjes së sezonit të ri, emri i tij u lidh me një kalim të mundshëm te Atalanta dhe Juventusi, por mesfushori ka bërë të qartë se dëshiron të vazhdojë karrierën te klubi ku, sipas tij, ka ëndërruar gjithmonë të luajë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA