Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka ndryshuar qëndrim dhe ka vendosur të tërheqë zyrtarisht mbështetjen për kandidaturën e Gianni Infantinos për një mandat të katërt në krye të FIFA-s.
Vendimi i është komunikuar institucionit më të lartë të futbollit botëror përmes një letre zyrtare drejtuar sekretarit të përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafström, të nënshkruar nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Në komunikatën e saj, FSHF ka bërë të ditur se pas konsultimeve të brendshme dhe një vlerësimi të situatës aktuale në futbollin ndërkombëtar, ka vendosur të tërheqë mbështetjen që i kishte dhënë më herët Infantinos.
Sipas federatës shqiptare, ky vendim lidhet me zhvillimet e fundit në qeverisjen e futbollit botëror, si dhe me qëndrimet e shprehura nga federatat evropiane për proceset dhe mënyrën e drejtimit të FIFA-s.
“FSHF mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar ngushtë me UEFA-n dhe partnerët ndërkombëtarë, në mbështetje të një qeverisjeje të futbollit të bazuar në transparencë, integritet dhe interesin më të mirë të lojës”, thuhet në deklaratën e federatës.
Tërheqja e mbështetjes nga Shqipëria vjen në një periudhë të rëndësishme për Infantinon, i cili synon të sigurojë një mandat të ri në krye të FIFA-s, ndërsa gara për presidencën e organizatës pritet të shoqërohet me zhvillime të reja politike brenda futbollit botëror.





