Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, ka kompletuar transferimin te RB Leipzig, në një marrëveshje me vlerë totale prej 30 milionë eurosh nga Hoffenheimi.
Lajmin e ka bërë të ditur eksperti i merkatos, Fabrizio Romano, i cili raporton se klubi nga Bundesliga ka mbyllur marrëveshjen për 23-vjeçarin, duke e konsideruar atë një nga përforcimet kryesore për sezonin e ri.
Ndërkohë, gazetari gjerman Guido Schäfer ka bërë të ditur se Asllani do t’u nënshtrohet testeve mjekësore në Salzburg, përpara se t’i bashkohet zyrtarisht skuadrës së RB Leipzigut.
Sipas raportimeve, kontrata e sulmuesit kosovar përfshin edhe një klauzolë lirimi prej 75 milionë eurosh, e vlefshme vetëm gjatë periudhës 1-15 qershor 2027.
Transferimi vjen pas një sezoni të shkëlqyer të Asllanit me Hoffenheimin, paraqitje që i siguruan interesimin e disa klubeve të mëdha evropiane. Megjithatë, sipas Fabrizio Romanos, ishte RB Leipzig që arriti të finalizojë marrëveshjen dhe ta sigurojë firmën e reprezentuesit të Kosovës.





