Berat Gjimshiti është shumë pranë një kapitulli të ri në karrierën e tij. Mbrojtësi shqiptar ka arritur marrëveshje verbale me klubin saudit Al Diriyah, i cili ka siguruar një marrëveshje me Atalantën për transferimin e kapitenit kuqezi.
Klubi nga Arabia Saudite po punon për të përforcuar repartin defensiv para sezonit të ri dhe Gjimshiti shihet si një element kyç falë eksperiencës së tij të madhe në nivelet më të larta të futbollit evropian.
Sipas ekspertit të merkatos, Fabrizio Romano, marrëveshja mes Al Diriyah dhe Atalantës është arritur në parim, ndërsa kanë mbetur vetëm detajet e fundit administrative për t’u finalizuar përpara njoftimit zyrtar.
Transferimi pritet t’i kushtojë klubit saudit rreth 3 milionë euro, ndërsa Gjimshiti pritet të firmosë një kontratë që do ta mbajë pjesë të Al Diriyah deri në qershor të vitit 2028.
Kjo lëvizje do të shënojë aventurën e parë të mbrojtësit shqiptar jashtë futbollit italian, pas një dekade të kaluar në Serie A. Gjimshiti u bashkua me Atalantën në vitin 2016 nga FC Zurich dhe me kalimin e viteve u shndërrua në një nga liderët e padiskutueshëm të skuadrës.
Me mbi 250 paraqitje në kampionatin italian, mbrojtësi 33-vjeçar ka qenë një nga shtyllat e suksesit të Atalantës, duke luajtur rol të rëndësishëm në triumfin historik në Ligën e Evropës në sezonin 2023/24 dhe në garat e vazhdueshme të klubit në Ligën e Kampionëve.
Al Diriyah ka zgjedhur pikërisht përvojën dhe karakterin e Gjimshitit për ta udhëhequr mbrojtjen e saj, ndërsa shqiptari pritet të nisë një sfidë të re pas një periudhe të jashtëzakonshme në futbollin italian.





