Mauricio Pochettino do të vazhdojë të jetë në krye të përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe për katër vitet e ardhshme. Federata Amerikane e Futbollit ka konfirmuar se trajneri argjentinas ka nënshkruar një kontratë të re, e cila e mban në detyrë deri pas përfundimit të Kupës së Botës 2030.
Vendimi vjen pas paraqitjes së SHBA-së në Botërorin 2026, turne që u zhvillua në tokën amerikane, ku skuadra e drejtuar nga Pochettino arriti deri në fazën e 1/16-ës së finales.
54-vjeçari mori drejtimin e kombëtares në vitin 2024, menjëherë pas largimit nga Chelsea, me objektivin për të ndërtuar një ekip konkurrues për Botërorin e organizuar në shtëpi. Paraqitjet dhe progresi i ekipit kanë bindur drejtuesit e federatës që t’i besojnë vazhdimësinë e projektit.
“Duke punuar me Mauricion dhe stafin e tij gjatë dy viteve të fundit, kemi parë një vizion të qartë dhe një potencial të madh për zhvillimin e futbollit amerikan. Besojmë se ky projekt do të vazhdojë ta çojë përpara kombëtaren tonë”, deklaroi drejtori ekzekutiv i U.S. Soccer, JT Batson.
Nën drejtimin e Pochettinos, SHBA-ja përfundoi në krye të grupit në Botërorin 2026, duke lënë pas Australinë, Paraguajin dhe Turqinë. Me gjashtë pikë të grumbulluara, amerikanët regjistruan paraqitjen e tyre më të mirë ndonjëherë në fazën e grupeve të një Kampionati Botëror.
Më pas eliminuan Bosnjën në fazën e 1/32-ës, por aventura e tyre mori fund në raundin pasues pas humbjes 4-1 ndaj Belgjikës, rezultat që i dha fund ëndrrës për një ecuri më të gjatë para tifozëve vendas.
Edhe vetë Pochettino shprehu entuziazmin për vazhdimin e bashkëpunimit, duke theksuar se përvoja e fituar gjatë dy viteve të fundit dhe mbështetja e jashtëzakonshme e tifozëve e kanë bindur se futbolli amerikan ka potencial të madh për t’u zhvilluar edhe më tej.





