Mesfushori i Kosovës, Valon Berisha, ka befasuar të gjithë me supergolin e realizuar nga goditja e lirë në fitoren e Zurichut ndaj Servette, por pas ndeshjes ka pranuar se nuk kishte tentuar të shënonte.
Me një goditje spektakolare, Berisha e la të shtangur portierin kundërshtar, ndërsa topi përfundoi në këndin e rrjetës.
Duke folur për mediat zvicerane pas ndeshjes, veterani kosovar e pranoi me buzëqeshje se synimi i tij ishte krejtësisht tjetër.
“Kjo është pyetja e ditës, apo jo? Jo, thjesht doja të harkoja dhe më pas topi përfundoi në rrjetë. Sigurisht që jam shumë i lumtur për golin, por edhe më i lumtur për këtë fitore të luftuar”, deklaroi Berisha.
Ai u shpreh gjithashtu i kënaqur me rolin që ka marrë te Zurichu, duke theksuar se gjithmonë ka pasur dëshirë të jetë lider në mesfushë.
“Gjithmonë më ka pëlqyer të drejtoj ekipin dhe të marr përgjegjësi. Jemi në rrugën e duhur, por ende kemi hapësirë për t’u përmirësuar”, shtoi ai.
Pas ndeshjes foli edhe kapiteni i Zurichut, Lindrit Kamberi, i cili e cilësoi fitoren shumë të rëndësishme për ekipin.
“Pas paraqitjes ndaj St. Gallenit, mendoj se e meritonim këtë fitore. Dhamë gjithçka në fushë dhe këto tri pikë kanë rëndësi të madhe për moralin tonë. Kur fiton tri pikë, do të thotë se i ke merituar”, u shpreh Kamberi.





