Ballkani do të zhvillojë sonte një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, teksa pret Bohemians në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të ndeshjes së kthimit të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Takimi, që nis në orën 20:00, është vendimtar për kampionët e Kosovës, të cilët synojnë të përmbysin humbjen 2-1 të pësuar në Irlandë dhe të sigurojnë një vend në raundin e tretë të garës.
Përballë tifozëve të tyre, skuadra nga Suhareka beson se mund ta përmbysë rezultatin dhe të vazhdojë rrugëtimin evropian. Atmosfera në “Fadil Vokrri” pritet të jetë një nga armët më të forta të Ballkanit në këtë sfidë.
Në prag të ndeshjes, klubi u ka bërë thirrje tifozëve që të mbushin stadiumin dhe ta mbështesin ekipin në këtë përballje vendimtare.
“Bashkë për kualifikim! Të enjten, nga ora 20:00, Ballkani zbret në fushë për ndeshjen vendimtare ndaj Bohemians. Stadiumi ‘Fadil Vokrri’. Na duhet zëri i secilit prej jush!”, thuhet në njoftimin e klubit në rrjetet sociale.
Një fitore do t’i mundësonte Ballkanit të vazhdojë aventurën evropiane dhe të sigurojë kualifikimin në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.





