Real Madridi ka konfirmuar edhe një herë fuqinë e tij ekonomike, duke bërë të ditura të ardhurat rekord prej 1.221 miliardë eurosh për vitin financiar 2025/26, pa përfshirë fitimet nga shitja e lojtarëve. Shifrat u miratuan në mbledhjen e fundit të bordit drejtues të klubit.
Me një rritje prej 3.1% krahasuar me sezonin e kaluar, klubi madrilen hyn në histori si organizata e parë sportive në botë që tejkalon pragun e 1.2 miliardë eurove të ardhura vjetore.
Sipas raportit zyrtar, rritja është nxitur kryesisht nga performanca e fortë e stadiumit “Santiago Bernabéu” dhe zgjerimi i aktiviteteve komerciale. Të ardhurat nga stadiumi janë rritur me 11%, ndërsa ato nga marketingu kanë shënuar një rritje prej 6%, falë marrëveshjeve të reja të sponsorizimit.
Në aspektin financiar, Real Madridi ka regjistruar një fitim neto prej 26.3 milionë eurosh, duke zgjatur në 26 sezone radhazi serinë e bilanceve pozitive – një tregues i stabilitetit dhe menaxhimit të suksesshëm të klubit.
Aktualisht, pasuria neto e klubit vlerësohet në 624 milionë euro, ndërsa rezervat financiare arrijnë në 83 milionë euro.
Ndërkohë, investimi total në transformimin e stadiumit “Santiago Bernabéu” ka shkuar në 1.407 miliardë euro, me drejtuesit e klubit që theksojnë se Real Madridi vazhdon të gëzojë një pozitë të fortë financiare për të përballuar sfidat dhe investimet e ardhshme, përfshirë edhe merkaton e transferimeve.





