Demokraci Plus (D+) ka publikuar analizën “Shfrytëzimi ilegal i rërës dhe zhavorrit nga lumenjtë dhe degradimi i ekosistemeve lumore”, e cila analizon sfidat në parandalimin dhe trajtimin e kësaj dukurie në Kosovë. Analiza tregon se sfida kryesore nuk qëndron te mungesa e legjislacionit, por te zbatimi i tij në praktikë.
Gjetjet identifikojnë tri probleme kryesore që kufizojnë reagimin institucional: kapacitetet e pamjaftueshme për inspektim dhe monitorim, koordinimin e dobët ndërinstitucional dhe sfidat në procedurat gjyqësore.
Sipas analizës, sipërfaqja e degraduar përgjatë lumenjve është rritur nga 1,762.71 hektarë në vitin 2018 në 2,059.96 hektarë në vitin 2024, ndërsa Drini i Bardhë mbetet lumi më i prekur. Në të njëjtën kohë, disa nga masat kryesore të parapara në Strategjinë Shtetërore për Ujëra ende nuk janë zbatuar, përfshirë hartimin e planit për menaxhimin e shfrytëzimit të lumenjve dhe përcaktimin e segmenteve ku mund të lejohet nxjerrja e rërës dhe zhavorrit.
Analiza evidenton gjithashtu se gjatë viteve 2023–2025, prokuroritë kanë regjistruar 184 kallëzime penale dhe kanë ngritur 137 aktakuza. Megjithatë, shqyrtimi i praktikës gjyqësore tregon se gjobat shpesh mbeten të ulëta në raport me dëmin e shkaktuar, konfiskimi i makinerive nuk zbatohet gjithmonë, ndërsa dëmi ekologjik nuk reflektohet në mënyrë të mjaftueshme gjatë caktimit të sanksioneve.
Analiza vlerëson se institucionet kanë treguar se mund të arrijnë rezultate konkrete kur bashkëpunojnë. Gjatë funksionimit të Task Forcës së Gjelbër u realizuan mbi 30 aksione të përbashkëta, u shqiptuan 24 gjoba administrative, u referuan 23 raste për procedim penal dhe u sekuestruan 30 mjete, me vlerë të përafërt prej rreth 2 milionë eurosh. Megjithatë, pas përfundimit të mandatit të saj nuk është krijuar një mekanizëm i përhershëm koordinues.
Bazuar në këto gjetje, D+ rekomandon forcimin e kapaciteteve inspektuese dhe hetimore, funksionalizimin e Këshillit Ndërministror për Ujëra, përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional, klasifikimin e rasteve të shfrytëzimit ilegal të rërës dhe zhavorrit si kategori e veçantë në Sistemin për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), si dhe zbatim më konsistent të masës së konfiskimit dhe vlerësim më të plotë të dëmit ekologjik gjatë procedurave gjyqësore.
https://dplus.org/wp-content/uploads/2026/07/Analiza-rreth-shfrytezimit-ilegal-te-reres-dhe-zhavorrit-nga-lumenjte-23.07.2026.pdf





