Manchester United ka shtuar ndjeshëm interesimin për Aurelien Tchouamenin, me mesfushorin francez që është kthyer në një nga prioritetet kryesore të klubit anglez në këtë afat kalimtar.
Sipas raportimeve të fundit, “Djajtë e Kuq” janë të gatshëm të investojnë mbi 80 milionë euro për të bindur Real Madridin të heqë dorë nga shërbimet e 26-vjeçarit, të cilin e shohin si përforcimin ideal për mesfushën.
Trajneri dhe drejtuesit e United kërkojnë të shtojnë cilësi dhe stabilitet në repartin defensiv të mesfushës, ndërsa profili i Tchouamenit konsiderohet perfekt falë eksperiencës së tij në La Liga, Ligën e Kampionëve dhe me Kombëtaren e Francës.
Megjithëse interesi është konkret, deri më tani nuk ka një ofertë zyrtare dhe as një marrëveshje mes dy klubeve. Negociatat pritet të vazhdojnë në ditët e ardhshme për të kuptuar nëse transferimi mund të marrë formë.
Nga ana tjetër, Real Madridi nuk ka ngutje për ta shitur francezin. Tchouameni është i lidhur me klubin madrilen me kontratë deri në verën e vitit 2028, çka i jep “Los Blancos” një pozitë të fortë në bisedime. Drejtuesit mund të refuzojnë ofertën, të kërkojnë një shifër më të lartë ose të pranojnë shitjen vetëm nëse ajo ndihmon në financimin e përforcimeve të tjera.
Mesfushori iu bashkua Real Madridit në verën e vitit 2022 nga Monaco në një transferim që i kushtoi klubit spanjoll 80 milionë euro, plus 20 milionë euro të tjera në bonuse.
Që prej mbërritjes në “Santiago Bernabéu”, Tchouameni ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, duke luajtur si mesfushor mbrojtës, por edhe si qendërmbrojtës sa herë që ekipi ka pasur nevojë. Vetëm sezonin e kaluar ai regjistroi 49 paraqitje në të gjitha garat, shënoi dy gola dhe grumbulloi plot 3.940 minuta në fushë.
Ndërkohë, Manchester United synon ta përforcojë urgjentisht mesfushën, veçanërisht pas ndryshimeve në skuadër dhe nevojës për një lojtar me karakteristikat e Tchouamenit. Javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare, pasi ky operacion mund të kthehet në një nga transferimet më të bujshme të merkatos verore.





