Çaykur Rizespor ka hedhur hapin e parë për transferimin e Milot Rashicës, duke i paraqitur Beşiktaşit një ofertë zyrtare për huazimin e sulmuesit të Kombëtares së Kosovës.
Sipas raportimeve të mediave turke, drejtuesit e klubit e kanë vendosur 30-vjeçarin në krye të listës së prioriteteve për këtë afat kalimtar, duke e konsideruar përforcimin ideal për repartin ofensiv në prag të sezonit të ri.
Tashmë, gjithçka mbetet në dorën e Beşiktaşit, i cili pritet të vendosë nëse do t’i japë dritën jeshile largimit të Rashicës në formë huazimi.
Përvoja e sulmuesit kosovar në futbollin turk dhe cilësitë e tij në fazën sulmuese kanë bindur Rizesporin ta bëjë objektivin kryesor të merkatos verore.
Megjithatë, klubi nuk ka lënë gjithçka në dorë të këtij operacioni. Sipas mediumit turk Takagazete, drejtuesit kanë përgatitur edhe një alternativë në rast se negociatat me Beşiktaşin nuk përfundojnë me sukses.
Opsioni rezervë është rikthimi i Jesurun Rak-Sakyi, i cili sezonin e kaluar u aktivizua te Rizespori si i huazuar nga Crystal Palace.
Milot Rashica është aktualisht nën kontratë me Beşiktaşin deri në verën e vitit 2027, ndërsa te Rizespori aktivizohet edhe mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Qazim Laçi.





