Ferrari e nisi në mënyrë mbresëlënëse fundjavën e Çmimit të Madh të Hungarisë në Formula 1, duke dominuar të dyja sesionet e provave të lira të së premtes në pistën e Hungaroringut.
Pas kohës më të mirë të Sharl Lëklerkut në sesionin e parë, ishte Luis Hamilton ai që vendosi ritmin më të shpejtë në sesionin e dytë. Piloti britanik regjistroi kohën 1’18″729, ndërsa monegasku mbeti vetëm 0.148 sekonda pas tij, duke kompletuar një dopietë të Ferrarit.
Në vendin e tretë u rendit Lando Norris me McLaren, 0.499 sekonda më i ngadaltë se Hamiltoni. Pas tij u pozicionuan Maks Verstapen (+0.692) dhe Xhorxh Rasëll (+0.933).
Ferrari tregoi një ritëm bindës si në xhirot e shpejta, ashtu edhe në simulimet e garës, duke dhënë sinjale premtuese për kualifikimet dhe garën e së dielës. Edhe pse trafiku në pistë ndikoi në disa tentativa të pilotëve të Ferrarit dhe të Verstapenit, Hamilton dhe Lëklerk ruajtën konkurrueshmërinë gjatë gjithë sesionit.
Në vështirësi u shfaq Andrea Kimi Antonelli. Piloti i Mercedesit përfundoi vetëm në vendin e 13-të, rreth dy sekonda pas Hamiltonit, pasi nuk arriti të përfitonte nga dy tentativat me gomat më të buta dhe bëri disa gabime gjatë xhirove të tij. Megjithatë, në simulimin e ritmit të garës ai la përshtypje pozitive, duke regjistruar një ritëm shumë konkurrues me gomat e buta, të krahasueshëm me atë të Lëklerkut.
Nga ana tjetër, Hamilton zhvilloi simulimin e garës me goma mesatare, duke shfaqur një ritëm disi më të ngadaltë, çka mund të lidhet me strategjinë dhe përbërjen e ndryshme të gomave. Ndërkohë, Norris u dallua për qëndrueshmërinë dhe ritmin e tij konkurrues gjatë gjithë sesionit.
Një përmirësim i lehtë u vu re edhe te Aston Martin, që solli një paketë të re zhvillimi për këtë fundjavë. Fernando Alonso arriti të shmangë vendet e fundit të renditjes, megjithëse e mbylli ditën në vendin e 19-të.
Me këtë fillim dominues, Ferrari duket se hyn si një nga favoritët kryesorë për vazhdimin e fundjavës në Hungaroring.





