Përgjigjja zyrtare e Pep Guardiolës për mundësinë e drejtimit të Kombëtares së Italisë ka mbërritur dhe është negative. Trajneri katalanas i ka thënë “jo” Federatës Italiane të Futbollit, duke refuzuar ofertën për të marrë drejtimin e “Azzurrëve”.
Sipas raportimeve, Guardiola e shqyrtoi me kujdes propozimin e paraqitur nga Paolo Maldini dhe Leonardo, madje duke e imagjinuar veten në stolin e Italisë. Megjithatë, pas disa ditësh reflektimi, ai vendosi të mos e pranojë ofertën.
“Faleminderit, jam i nderuar, por tani për tani nuk kam dëshirë”, ka qenë përgjigjja e trajnerit spanjoll.
Vendimi i Guardiolës lidhet me dëshirën për të marrë një pushim pas përfundimit të aventurës së tij dhjetëvjeçare te Manchester City. Ai dëshiron t’i kushtojë më shumë kohë vetes dhe familjes së tij, përpara se të rikthehet në pankinë.
Një tjetër arsye e rëndësishme është mënyra se si Guardiola e sheh profesionin e trajnerit. Ai e ka cilësuar veten si “të varur nga futbolli” dhe beson se një ekip duhet të drejtohet me përkushtim të plotë.
“Nëse e bëj, do ta bëj 100 për qind”, mësohet të ketë thënë Guardiola gjatë bisedimeve, duke theksuar se nuk i pëlqen të marrë përsipër një projekt pa u angazhuar plotësisht.
Në vendimin e tij ka ndikuar edhe respekti për Italinë, një vend me të cilin ka një lidhje të veçantë, si dhe për Paolo Maldinin, i cili i kishte paraqitur një projekt ambicioz dhe afatgjatë. Drejtori teknik i Kombëtares së Italisë kishte propozuar një plan bashkëpunimi për tetë deri në dhjetë vjet, por Guardiola vendosi se nuk ishte momenti i duhur për të nisur një sfidë të re.





