Qendërmbrojtësi i River Plate dhe Kombëtares së Argjentinës, Nicolas Otamendi, ka njoftuar tërheqjen e tij nga futbolli ndërkombëtar pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.
38-vjeçari e bëri të ditur vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku u përshëndet me tifozët dhe falënderoi të gjithë ata që e mbështetën gjatë karrierës së tij me fanellën e Argjentinës.
“Sot duhet të shkruaj fjalët më të vështira të gjithë karrierës sime. Që nga fëmijëria ëndërroja të vishja fanellën e Kombëtares së Argjentinës. Ishte privilegji më i madh që më dha futbolli. E mbrojta me gjithë zemër, me krenari dhe përgjegjësi, plotësisht i vetëdijshëm për atë që do të thotë për miliona argjentinas”, shkroi fillimisht Otamendi.
“Tani po largohem me paqe në zemër, duke e ditur se dhashë gjithçka. Nuk kursyeva asnjë përpjekje, nuk pushova kurrë së besuari dhe nuk pushova kurrë së ndjeri se veshja e kësaj fanele ishte nderi më i madh i jetës sime.”
Mbrojtësi argjentinas pati edhe një mesazh të veçantë për tifozët.
“Faleminderit tifozëve argjentinas. Faleminderit për dashurinë tuaj të pakushtëzuar, për çdo flamur, për çdo këngë dhe që ishit me ne në kohët e mira, por sidomos në momentet më të vështira. Falë jush, sa herë që këndohej himni, ndiheshim sikur nuk ishim vetëm njëmbëdhjetë lojtarë në fushë, por miliona njerëz që mbronin të njëjtën ëndërr.”
Ai falënderoi edhe familjen për mbështetjen e vazhdueshme.
“Faleminderit familjes sime. Ju ishit streha ime pas çdo pengese dhe forca ime në çdo sfidë. I përballuat ndarjet, mungesën time, lotët dhe zhgënjimet. Këtë rrugëtim nuk e bëra kurrë i vetëm – e përshkuam së bashku, hap pas hapi.”
Në fund, Otamendi theksoi se finalja e Kupës së Botës 2026 ishte ndeshja e tij e fundit me fanellën e Argjentinës.
“Ndodhi që ndeshja ime e fundit ishte finalja e Kupës së Botës. Nuk ishte rezultati që dëshironim, por po largohem me kokën lart, sepse kjo skuadër luftoi deri në sekondën e fundit.”





