Barcelona ka marrë një lajm të hidhur në prag të sezonit të ri, pasi mesfushori Frenkie de Jong ka pësuar një këputje të ligamentit medial kolateral në gjurin e djathtë. Dëmtimi do ta mbajë reprezentuesin holandez larg fushave për disa javë.
Klubi katalanas konfirmoi se 29-vjeçari nuk do t’i nënshtrohet operacionit. Në vend të kësaj, ai do të ndjekë një program të specializuar rehabilitimi nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor, me synimin për t’u rikthyer sa më shpejt në dispozicion të skuadrës.
Problemet fizike të De Jong u shfaqën gjatë paraqitjeve me Holandën në Kupën e Botës 2026. Pas shqetësimeve në gju, ai iu nënshtrua ekzaminimeve të detajuara, ndërsa në ndeshjet e fundit të turneut u pa duke luajtur me një mbrojtëse në gju.
Ky zhvillim përbën një goditje të madhe për trajnerin Hansi Flick, i cili do ta nisë sezonin pa një nga shtyllat kryesore të mesfushës.
Pavarësisht mungesës së De Jong, mediat spanjolle raportojnë se Barcelona nuk ka ndërmend të ndryshojë planet në merkaton e verës dhe nuk do të transferojë një zëvendësues për holandezin.
Drejtuesit e klubit besojnë se skuadra ka alternativa të mjaftueshme për të mbuluar boshllëkun e krijuar. Pedri, Gavi, Dani Olmo, Fermín López dhe Marc Bernal pritet të marrin më shumë përgjegjësi në mesfushë, ndërsa edhe Eric García dhe Andreas Christensen mund të aktivizohen në atë repart nëse situata e kërkon.
Vlen të theksohet se De Jong ishte paraqitur në qendrën stërvitore “Joan Gamper” disa ditë përpara rikthimit zyrtar të ekipit, për t’iu nënshtruar kontrolleve mjekësore lidhur me gjurin që e kishte shqetësuar gjatë Botërorit.
Ky është një tjetër dëmtim për mesfushorin holandez, i cili gjatë dy sezoneve të fundit është përballur vazhdimisht me probleme fizike, duke i penguar vazhdimësinë në formën e tij më të mirë.





