Karim Adeyemi ka nisur zyrtarisht një kapitull të ri në karrierën e tij. Sulmuesi gjerman është prezantuar si lojtari më i ri i Barcelonës dhe në konferencën e parë për media nuk e fshehu emocionin për transferimin te gjiganti katalanas.
24-vjeçari e cilësoi kalimin në “Camp Nou” si një hap të madh dhe një mundësi të jashtëzakonshme për të treguar vlerat e tij.
“Pritshmëritë janë shumë të larta. Mendoj se kam ardhur te klubi më i mirë dhe më i madh në botë. Është një nder për mua dhe dua t’u tregoj të gjithëve se jam këtu për të ndihmuar ekipin”, deklaroi Adeyemi.
Një nga arsyet kryesore që e bindi sulmuesin gjerman të zgjidhte Barcelonën ishte trajneri Hansi Flick. Adeyemi zbuloi se bisedat me teknikun gjerman kanë luajtur një rol vendimtar në vendimin e tij.
“Flick është arsyeja kryesore pse jam këtu. Kam folur shumë me të dhe ai më ka treguar besimin që ka tek unë. Më tha se çfarë kërkon nga unë dhe unë jam gati të jap gjithçka për ta ndihmuar skuadrën”, u shpreh ai.
Objektivat e tij me Barcelonën janë të mëdha. Adeyemi theksoi se dëshiron të fitojë çdo trofe të mundshëm, me Ligën e Kampionëve si ëndrrën më të madhe.
“Çdo ndeshje në këtë klub është e rëndësishme. Dua të fitoj çdo trofe që është i mundur, por Liga e Kampionëve është padyshim një nga objektivat kryesorë. Do të bëj gjithçka që të ndihmoj ekipin ta arrijë këtë”, tha sulmuesi.
Adeyemi foli edhe për rolin e tij në fushë, duke theksuar se është i gatshëm të luajë në çdo pozicion të repartit ofensiv.
“Kam luajtur në çdo pozicion të sulmit dhe ndihem mirë kudo. Gjëja më e rëndësishme është të ndihmoj ekipin”, u shpreh ai.
Sulmuesi gjerman nuk i kurseu komplimentet për yllin e ri të Barcelonës, Lamine Yamal, me të cilin shpreson të krijojë një lidhje të fortë në fushë.
“Lamine është një lojtar i jashtëzakonshëm. Veprimet e tij flasin vetë. Unë jam një lojtar që sulmoj hapësirat dhe shpresoj të lidhem shumë mirë me të dhe me gjithë ekipin”, tha Adeyemi.
Ai zbuloi gjithashtu se idhujt e tij kanë qenë Lionel Messi dhe Ronaldinho, ndërsa për Barcelonën foli me shumë admirim.
“Që kur isha i vogël e kam parë Barcelonën me lojtarë të jashtëzakonshëm. Është një klub historik me një lidhje të veçantë me Kataluninë dhe tifozët e saj”, deklaroi ai.
Tashmë, Adeyemi pret vetëm debutimin me fanellën blaugrana, ndërsa synimi i tij është i qartë: të përshtatet sa më shpejt, të fitojë besimin e tifozëve dhe të ndihmojë Barcelonën të rikthehet në majat e futbollit evropian.





