Arsenali ka vazhduar përforcimin e skuadrës për sezonin e ri, duke zyrtarizuar transferimin e anësorit grek Christos Tzolis nga Club Brugge.
Sipas raportimeve të ESPN, klubi londinez ka investuar rreth 40 milionë euro për të siguruar shërbimet e 24-vjeçarit, i cili konsiderohet një nga futbollistët më në formë të sezonit të kaluar në Belgjikë.
Me ardhjen e Tzolis, trajneri Mikel Arteta fiton një tjetër armë të rëndësishme në repartin ofensiv, veçanërisht pas largimit të Leandro Trossard drejt Besiktasit.
Sulmuesi i krahut vjen në “Emirates” pas një sezoni mbresëlënës me Club Brugge, ku në 52 ndeshje në të gjitha garat realizoi 22 gola dhe dhuroi 29 asistime, statistika që e shndërruan në një nga lojtarët më vendimtarë të kampionatit belg.
Tzolis ka qenë gjithashtu një element i rëndësishëm i përfaqësueses së Greqisë, me 34 paraqitje dhe nëntë gola të shënuar me fanellën e kombëtares.
Rruga e tij drejt Arsenalit ka qenë plot eksperienca në kampionate të ndryshme evropiane. Ai e nisi karrierën te PAOK-u, më pas provoi futbollin anglez me Norwich City, ku debutoi në Premier League pikërisht përballë Arsenalit në stadiumin “Emirates”. Më vonë ai luajti edhe me Twenten në Holandë, Fortuna Düsseldorf në Gjermani dhe, së fundi, shkëlqeu me Club Brugge.
Transferimi i Tzolis është një tjetër lëvizje e rëndësishme në merkaton e Arsenalit. Më herët, londinezët siguruan përfundimisht shërbimet e Piero Hincapié, pas periudhës në huazim, ndërsa në skuadër u bashkua edhe portieri Illan Meslier, i ardhur si lojtar i lirë nga Leeds United.
Me këto afrime, Arsenali synon të ndërtojë një skuadër edhe më konkurruese për të luftuar në të gjitha kompeticionet gjatë sezonit të ri.





