Gjithçka është gati për edicionin e këtij viti të US Open, Grand Slamit të fundit të sezonit, që do të zhvillohet nga 30 gushti deri më 13 shtator në Nju Jork. Organizatorët kanë publikuar listën zyrtare të pjesëmarrësve, ku nuk mungojnë emrat më të mëdhenj të tenisit botëror.
Vëmendja kryesore do të jetë te kampioni në fuqi, Carlos Alkaraz, i cili rikthehet në fushë me synimin për të mbrojtur titullin dhe për të fituar trofeun e tretë në karrierë në tokën amerikane.
Tenisti spanjoll do të rikthehet fillimisht në turneun e Cincinnati-t, pas një mungese prej rreth katër muajsh për shkak të dëmtimit në kyçin e dorës, të pësuar gjatë turneut të Barcelonës në muajin prill. Pikërisht turnetë përgatitore do t’i shërbejnë për të rikthyer ritmin e garës, përpara sfidës së madhe në Nju Jork.
Edhe pse ende në fazën e rikuperimit, Alkaraz u shfaq fundjavën e kaluar në finalen e Kupës së Botës së futbollit mes Spanjës dhe Argjentinës, me një fashë mbrojtëse në dorë, një detaj që konfirmon se procesi i rikthimit është drejt përfundimit.
“US Open” ka një vend të veçantë në karrierën e 22-vjeçarit. Pikërisht në këtë turne ai fitoi Grand Slamin e parë, duke hyrë në histori si një nga kampionët më të rinj të epokës moderne. Në memorien e tij mbetet edhe triumfi ndaj rivalit italian Jannik Sinner, një fitore që e konfirmoi mes elitës së tenisit botëror.
Edicioni i sivjetshëm premton spektakël të madh. Krahas Alkarazit, në garë do të jenë edhe numri një i botës Jannik Sinner, legjenda serbe Novak Djokovic, Alexander Zverev, Taylor Fritz, si dhe emrat më të spikatur të tenisit për femra, përfshirë Aryna Sabalenka, Coco Gauff, Jessica Pegula dhe Elena Rybakina.
Alkaraz dhe Sabalenka do të zbresin në fushë për të mbrojtur titujt e fituar një vit më parë, ndërsa finalja e madhe e US Open 2026 do të luhet më 13 shtator në stadiumin legjendar Arthur Ashe, aty ku pritet të kurorëzohet kampioni i fundit Grand Slam i sezonit.





