Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë dhe ka bërë thirrje për riintegrimin e serbëve në këtë sistem.
Reagimi i ambasadës vjen pas vendimit të ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë.
Ambasada britanike ka rikujtuar se Marrëveshjen për Drejtësinë të vitit 2015 e kishte mirëpritur si një hap të rëndësishëm, pasi ajo kishte integruar strukturat e veriut të Kosovës në kuadrin ligjor të vendit.
“Mbretëria e Bashkuar e mirëpriti Marrëveshjen për Drejtësinë të vitit 2015, e cila integroi strukturat e veriut të Kosovës në kuadrin ligjor të Kosovës, duke garantuar njëkohësisht përfaqësim të konsiderueshëm për serbët e Kosovës”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Sipas Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, dorëheqjet masive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ në vitin 2022 ishin një hap prapa dhe dëmtuan interesat e qytetarëve.
“Ne i konsideruam dorëheqjet masive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ në vitin 2022 si një hap prapa, që dëmtoi interesat e qytetarëve të Kosovës”, thuhet më tej në reagim.
Ambasada ka theksuar se integrimi i të gjitha komuniteteve në sistemin e drejtësisë është i rëndësishëm për rritjen e besimit të publikut në institucionet e sundimit të ligjit.
“Ne e kemi mirëpritur reagimin e kahershëm të organeve përkatëse profesionale, të cilat e kanë njohur rëndësinë e ruajtjes së besimit të të gjitha komuniteteve në Kosovë ndaj sistemit të drejtësisë, dhe për këtë arsye jemi të shqetësuar nga zhvillimet e kësaj jave”, ka deklaruar ambasada.
“Ne bëjmë thirrje për integrimin e popullsisë shumetnike të Kosovës në sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të forcohet besimi i publikut në institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar.





