Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ndaluar një person të dyshuar për veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”, pas aksidentit me fatalitet në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë.
Sipas Prokurorisë, aksidenti ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Studime, ku i dyshuari, në gjendje të dehur, dyshohet se ka vozitur veturën në shiritin e kundërt të rrugës dhe është përplasur me një veturë tjetër.
Si pasojë e aksidentit, një grua ka mbetur e vdekur, ndërsa shoferi dhe tre pasagjerë kanë pësuar lëndime serioze dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.
Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ndërsa me urdhër të prokurorisë trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit të ndaluar.





