Manchester City pritet të jetë klubi që do të përfitojë më së shumti financiarisht nga Programi i Përfitimeve për Klubet i FIFA-s pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.
Sipas vlerësimeve, kampioni anglez do të arkëtojë rreth 4.4 milionë dollarë (3.86 milionë euro), falë pjesëmarrjes së gjashtë futbollistëve të tij në fazat finale të turneut.
Pas Cityt renditet Barcelona, ndërsa Bayern Munichu dhe Arsenali plotësojnë katërshen e klubeve që pritet të marrin përfitimet më të mëdha. Edhe pse Arsenali pati një numër të konsiderueshëm lojtarësh në Botëror, pagesa e tij pritet të jetë disi më e ulët për shkak të finales së vonë të Ligës së Kampionëve.
Ndërkohë, Crystal Palace është surpriza e listës, duke u renditur si klubi i tretë anglez me përfitimet më të larta nga ky program.
FIFA ka vendosur një fond rekord prej 355 milionë dollarësh për Programin e Përfitimeve për Klubet, ku 250 milionë dollarë janë ndarë vetëm për fazën finale të Kupës së Botës.
Shpërblimet llogariten mbi bazën e rreth 5 mijë dollarëve për çdo lojtar, për çdo ditë që ai kalon me kombëtaren gjatë turneut.
Edhe këtë herë, klubet evropiane do të përfitojnë pjesën më të madhe të fondit, megjithatë zgjerimi i Kupës së Botës në 48 kombëtare ka bërë që pagesat të shpërndahen te një numër më i madh klubesh nga e gjithë bota.
FIFA pritet të publikojë shifrat zyrtare dhe përfundimtare të këtyre pagesave në muajt e ardhshëm.





