Humbja ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026 nuk i ka dhënë ende përgjigje pyetjes që po shqetëson gjithë botën e futbollit: a ishte kjo ndeshja e fundit e Lionel Messit me fanellën e Argjentinës?
Sipas raportimit të TyC Sports, kapiteni i “Albiceleste” nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar në lidhje me të ardhmen e tij në arenën ndërkombëtare. Pavarësisht spekulimeve të shumta, 39-vjeçari nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë të luajë për kombëtaren apo do t’i japë fund një karriere të jashtëzakonshme me Argjentinën.
Burime pranë futbollistit bëjnë të ditur se Messi e nisi Botërorin 2026 pa një plan të përcaktuar për pensionim. Madje, para nisjes së turneut, ai nuk u kishte lënë të kuptohej njerëzve të afërt se finalja mund të ishte paraqitja e tij e fundit me fanellën bardhekaltër.
Pikërisht për këtë arsye, në Argjentinë besohet se sfida ndaj Spanjës nuk do të jetë domosdoshmërisht kapitulli i fundit i legjendës në futbollin ndërkombëtar. Vendimi përfundimtar pritet të merret në muajt e ardhshëm, pasi Messi të analizojë me qetësi planet dhe objektivat e tij.
Edhe pse Argjentina nuk arriti të mbrojë titullin botëror, Messi zhvilloi një tjetër turne mbresëlënës. Ai shënoi tetë gola në tetë ndeshje, duke qenë lideri i padiskutueshëm i skuadrës dhe një nga futbollistët më dominues të Kupës së Botës 2026.
Në rast se vendos të vazhdojë, mbetet për t’u parë nëse fituesi i shumëfishtë i “Topit të Artë” do të jetë pjesë e kualifikueseve të ardhshme dhe turneve të radhës me Argjentinën.
Për momentin, e ardhmja e Lionel Messit me “Albicelesten” mbetet e hapur, ndërsa tifozët shpresojnë që legjenda e futbollit të vazhdojë të shkruajë histori edhe me fanellën e kombëtares.





