Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, dhe bashkëshortja e tij, Usha Vance, njoftuan të dielën lindjen e fëmijës së tyre të katërt, i pari që lind nga një zëvendëspresident amerikan në detyrë pas më shumë se 150 vjetësh.
Djali, Alec Neel Vance, lindi të dielën dhe i bashkohet tre fëmijëve të tjerë të familjes: Ewan (9 vjeç), Vivek (6 vjeç) dhe Mirabel (4 vjeçe).
Vance e bëri të ditur lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale, me një deklaratë të nënshkruar nga ai dhe bashkëshortja e tij.
“Jemi të lumtur të njoftojmë se djali ynë, Alec Neel Vance, lindi këtë mëngjes. Usha dhe foshnja janë mirë dhe gëzojnë shëndet të plotë, ndërsa fëmijët tanë janë shumë të lumtur që takuan vëllain e tyre të vogël”, thuhet në deklaratë.
Çifti falënderoi mjekët dhe stafin e Qendrës Kombëtare Ushtarake Mjekësore Walter Reed, si edhe ekipin mjekësor të Shtëpisë së Bardhë.
Familja në rritje e zëvendëspresidentit republikan përputhet me qëndrimin e tij të kahershëm në mbështetje të rritjes së lindshmërisë në SHBA. Ai ka thënë gjithashtu se vrasja në vitin 2025 e aktivistit konservator Charlie Kirk, mikut të tij, ndikoi në vendimin për të pasur edhe një fëmijë.
Vance, ish-marins i SHBA-së, ka shprehur vazhdimisht shqetësimin për rënien e lindshmërisë në Amerikë që kur nisi karrierën e tij politike në vitin 2021, me kandidimin për Senatin nga shteti i Ohajos. Si zëvendëspresident, gjatë marshit kundër abortit March for Life në vitin 2025 në Uashington, ai deklaroi: “Unë dua më shumë foshnja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”





