Didier Deschamps mbrëmë drejtoi ndeshjen e tij të fundit në krye të Kombëtares së Francës, duke i dhënë fund një aventure 14-vjeçare, gjatë së cilës e riktheu përfaqësuesen franceze në elitën e futbollit botëror pas krizës dhe skandalit që shoqëroi Botërorin e vitit 2010.
Pasardhësi i tij pritet të jetë një tjetër legjendë e futbollit francez, Zinedine Zidane, me të cilin Deschamps ka ndarë fushën si te Franca, ashtu edhe te Juventusi.
Në deklaratën e tij pas ndeshjes, Deschamps pati një mesazh edhe për trajnerin që do ta pasojë.
“Trashëgimia që i lë pasardhësit tim? Potenciali është aty. Ka disa lojtarë të jashtëzakonshëm që do të rriten nga kjo përvojë. Gjithçka është në vend që kjo skuadër e Francës të mbetet në nivelin më të lartë. I uroj më të mirën Francës dhe pasardhësit tim”, deklaroi ai.
Trajneri francez shtoi se, pas largimit nga detyra, do ta mbështesë ekipin nga larg.
“Pas kësaj, do të bëhem një mbështetës i heshtur. A do të flas me të? Askush nuk më ka pyetur ende për asgjë. Tani për tani, planifikoj të shkoj me pushime dhe të kaloj kohë me familjen time, por do ta shohim”, u shpreh Deschamps.
Gjatë drejtimit të Francës, Deschamps arriti suksesin më të madh në vitin 2018, kur e udhëhoqi kombëtaren drejt titullit të kampionit të botës. Me këtë triumf, ai u bë personi i tretë në histori që fiton Kupën e Botës si lojtar dhe si trajner, pas Mário Zagallos dhe Franz Beckenbauerit.





