Michael Olise dëshiron një transferim te Real Madridi. Sipas raportimeve, anësori francez ua ka bërë të ditur këtë dëshirë edhe shokëve të tij të kombëtares gjatë Kupës së Botës.
Megjithatë, Bayern Munich nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga një prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm. Sipas gazetës gjermane BILD, klubi bavarez ka përgatitur katër skenarë të mundshëm për të ardhmen e Olises.
Skenari i parë parashikon që Bayerni t’i ofrojë lojtarit një kontratë të re me vlerë mbi 25 milionë euro në sezon, duke e vendosur në të njëjtin nivel pagash me Harry Kane dhe Jamal Musiala.
Opsioni i dytë është që Olise të refuzojë rinovimin, por të respektojë vendimin e klubit dhe të vazhdojë të luajë në “Allianz Arena”, duke ruajtur nivelin e tij të lartë.
Një tjetër skenar është që francezi të shtyjë fort për një transferim te Real Madridi, duke krijuar tensione të mëdha me drejtuesit e klubit bavarez.
Ndërkohë, skenari i fundit parashikon që Bayern Munich të dorëzohet përballë presionit dhe të pranojë shitjen e Olises te Real Madridi, por vetëm në këmbim të një shume rekord dhe astronomike.





