Ministrja serbe e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, ka tentuar të arsyetohet për deklaratën e saj se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Ajo pretendon se një pjesë prej vetëm shtatë sekondash nga intervista e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe keqpërdorur, por njëkohësisht përsëriti thelbin e qëndrimit të saj, duke shtuar se ndoshta do të ishte më mirë të kishte përdorur termin “deportim” në vend të “spastrimit etnik”, për të shmangur, siç u shpreh, “linçimin” publik, raporton N1.
“Po, ndoshta do të thosha deportim, thjesht për të shmangur që të më sulmonin nga të gjitha anët. Por kushdo që është normal dhe e kupton se për çfarë po flas, e di se mund të të shpëtojë një term i papërshtatshëm. Në fund të fundit, kur je spastruar etnikisht – dhe ne pothuajse kemi qenë, apo çdo ditë bëhen përpjekje që kjo të ndodhë – atëherë është e natyrshme që në mendje të të mbetet termi spastrim etnik si përshkrim i asaj që ke përjetuar”, tha Paunoviq.
Ajo u përpoq ta justifikojë edhe më tej deklaratën, duke thënë se nuk kishte nënkuptuar një spastrim etnik me dhunë, por, sipas saj, largimin “me vullnet të lirë”.
“Jo me likuidimin e kujtdo, por thjesht me vullnet të lirë”, tha ministrja.
Sipas saj, ajo që duhej të kishte bërë Millosheviqi ishte që “çdokush që nuk respektonte Kushtetutën dhe ligjet e atëhershme të Republikës Federale të Jugosllavisë të kthehej në vendin amë, të cilin e konsideronte më të mirë për veten, ndërsa me terroristët të merreshin forcat zyrtare të armatosura, ashtu si ndodh kudo në botë”.
Deklarata e saj ka ngjallur shumë reagime, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj – në Evropë e më gjerë.
Kosova madje e ka shpallur Paunoviqin “persona non grata”.





