Julian Alvarez vazhdon të jetë një nga emrat më të përfolur në tregun e transferimeve. Edhe pse sulmuesi argjentinas është i fokusuar te Kupa e Botës 2026 me kombëtaren e Argjentinës, e ardhmja e tij mbetet në qendër të vëmendjes së klubeve më të mëdha evropiane.
Atletico Madridi vazhdon të këmbëngulë se llogarit në shërbimet e 26-vjeçarit edhe për sezonin e ardhshëm, por kjo nuk i ka penguar klubet e interesuara të eksplorojnë mundësinë e transferimit të tij.
Sipas raportimeve nga Anglia, Arsenali është rikthyer fuqishëm në garë dhe po monitoron nga afër situatën e reprezentuesit argjentinas.
Gazetari Ben Jacobs raporton se klubi londinez po shqyrton një operacion të ndërlikuar, i cili mund të përfshijë edhe sulmuesin suedez Viktor Gyokeres, për të lehtësuar negociatat me Atletico Madridin për Alvarezin.
Sipas të njëjtit burim, Arsenali është i vetëdijshëm se prioriteti i Alvarezit mbetet një transferim te Barcelona. Megjithatë, drejtuesit londinezë besojnë se Atletico Madridi nuk është i gatshëm ta shesë një nga lojtarët e tij më të rëndësishëm te një rival i drejtpërdrejtë në La Liga.
Ky qëndrim i klubit madrilen mund t’u hapë rrugë skuadrave jashtë Spanjës. Arsenali beson se ka ende shanse reale për ta bindur si lojtarin, ashtu edhe Atletico Madridin, nëse paraqet një ofertë bindëse si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë financiar.
Alvarez është nën kontratë afatgjatë me Atletico Madridin dhe konsiderohet një nga figurat kyçe të projektit të klubit. Paraqitjet e tij gjatë sezonit të kaluar, të kombinuara me performancat mbresëlënëse me Argjentinën në Kupën e Botës, kanë bërë që vlera e tij në treg të rritet edhe më shumë.
Një nga detajet më interesante të këtij operacioni lidhet me Viktor Gyokeres. Sipas Ben Jacobs, Arsenali po shqyrton mundësinë e dy lëvizjeve paralele: transferimin e Julian Alvarezit në “Emirates”, ndërsa Atletico Madridi do të kishte mundësinë të afronte Gyokeresin si zëvendësues në repartin ofensiv.





