Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të lidhura me narkotikë, ndërsa gjatë operacionit janë konfiskuar 147.7 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës ,hetuesit e Njësisë së Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë kanë trajtuar një rast nën dyshimin se një person ishte duke u marrë me shitblerje të substancave narkotike.
Pas punës operative dhe hetimore, më 15korrik 2026, në magjistralen Pejë-Prishtinë është lokalizuar i dyshuari me inicialet F. P., i lindur në vitin 1992, mashkull kosovar, i cili ndodhej në një automjet.
“Në veturë dhe në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe janë konfiskuar 147.7gramë substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit kokainë, si dhe dëshmitë tjera relevante lidhur me rastin”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se, në kuadër të këtij rasti, është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit tjetër me inicialet Q. K., i lindur në vitin 1993, por gjatë kontrollit nuk është gjetur ndonjë send i ndaluar.
Rasti është trajtuar në koordinim me prokurorin kujdestar, ndërsa ndaj dy të dyshuarve është iniciuar procedurë për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas Policisë, me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.






