Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka intensifikuar kontrollet zyrtare pas rasteve të raportuara për dyshime të helmimit të qytetarëve në Prishtinë dhe Han të Elezit.
Sipas AUV-së, inspektorët veterinarë kanë zhvilluar kontrolle të jashtëzakonshme në lokacionet ku janë raportuar rastet, me qëllim identifikimin e shkaktarit të mundshëm dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Gjatë inspektimeve janë kontrolluar kushtet higjieno-sanitare, procedurat e vetëkontrollit të operatorëve ushqimorë, dokumentacioni, gjurmueshmëria e produkteve dhe lëndëve të para. Po ashtu, janë marrë mostra zyrtare për analiza laboratorike mikrobiologjike.
Në rastin e Prishtinës, AUV ka marrë mostra të sosit të bardhë, qumështit dhe vezëve, ndërsa në Han të Elezit është marrë mostër e majonezës nga objekti i shërbimit ushqimor.
Mostrat janë dërguar për analiza në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërsa mostra e vezëve është dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Rezultatet e analizave ende nuk janë bërë publike.
AUV ka bërë të ditur se pas përfundimit të analizave dhe vlerësimit të të gjitha provave të mbledhura gjatë kontrolleve zyrtare, do të përpilojë raportin përfundimtar dhe do ta informojë opinionin publik për rezultatet.
Në rast se konstatohen shkelje të legjislacionit ose rrezik për shëndetin e konsumatorëve, institucioni ka paralajmëruar ndërmarrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj operatorëve përgjegjës.
Agjencia ka rikujtuar se operatorët e biznesit ushqimor kanë përgjegjësi ligjore për sigurinë e produkteve që vendosin në treg, për zbatimin e sistemeve të vetëkontrollit, ruajtjen e temperaturave të përcaktuara dhe respektimin e zinxhirit të ftohjes.
AUV u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që gjatë blerjes së produkteve ushqimore të kontrollojnë etiketimin, afatet e përdorimit dhe kushtet e ruajtjes, veçanërisht gjatë periudhës së temperaturave të larta.
Kontrollet e intensifikuara, sipas AUV-së, do të vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës.






