Kolegji AAB

Erling Haaland kritikon arbitrin pas eliminimit: Të gjitha vendimet 50-50 shkuan kundër nesh

Sulmuesi i Norvegjisë, Erling Haaland, ka shprehur zhgënjimin e tij pas humbjes 2-1 ndaj Anglisë, pas vazhdimeve, në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026, duke vlerësuar paraqitjen e skuadrës së tij, por edhe duke kritikuar vendimet e arbitrave në momentet kyçe të takimit.

“Për të qenë i sinqertë, është shumë e vështirë ta përshkruaj atë që ndiej tani. Mendoj se meritonim më shumë.

“Në të njëjtën kohë, ishim vetëm një hap larg eliminimit të Anglisë. Ka një ndjenjë boshllëku, por njëkohësisht jemi krenarë që luajtëm një çerekfinale kundër Anglisë dhe i dhamë një betejë të fortë. Emocionet e mia janë të përziera”, deklaroi Haaland.

I pyetur për dy vendimet e diskutueshme të gjyqtarit gjatë ndeshjes, sulmuesi norvegjez nuk e fshehu pakënaqësinë.

“Janë pikërisht këto episode të vogla që vendosin fatin e ndeshjeve në Kupën e Botës. Kundër Brazilit arritëm t’i kthenim në favorin tonë, por sot, në të gjitha situatat 50-50, vendimet shkuan kundër nesh. Kur luan ndaj një skuadre si Anglia, kjo e bën gjithçka shumë më të vështirë”, u shpreh ai.

Haaland u ndal edhe te goli i anuluar i Norvegjisë, duke vënë në dyshim vendimin e arbitrit.

“Ne arritëm t’ia impononim lojën kundërshtarit. Martin kontrolloi ritmin e ndeshjes dhe luajtëm ashtu siç kishim planifikuar. Shënuam gol, por ai u anulua sepse, sipas gjyqtarit, unë shtyva Elliot Anderson gjatë goditjes nga këndi. Sinqerisht, mua më shtyjnë në pothuajse çdo duel të tillë. Është paksa zhgënjyese”, shtoi sulmuesi.

Në pjesën e dytë, kur rezultati ishte 1-1, gjyqtari francez Clément Turpin anuloi golin e Torbjørn Heggem pas ndërhyrjes së VAR-it, duke sinjalizuar faull të Haaland gjatë ekzekutimit të një goditjeje nga këndi dhe urdhëroi përsëritjen e kornerit.

Pavarësisht eliminimit, 25-vjeçari beson se paraqitja në Botërorin 2026 ka ndryshuar mënyrën se si perceptohet Norvegjia në futbollin ndërkombëtar.

“Është e vështirë ta përpunoj gjithçka tani, por mendoj se ky turne e ka ndryshuar Norvegjinë.

“Jam krenar për skuadrën tonë dhe shpresoj që edhe të gjithë norvegjezët të jenë krenarë për ne. Ajo që kemi arritur është një sukses i madh.

“Gjithçka duket e pabesueshme. Ndihem sikur ky turne më ka ndryshuar edhe mua si person. Ndoshta tani njerëzit më njohin edhe më shumë”, përfundoi Haaland.

Sulmuesi norvegjez e mbylli Kupën e Botës 2026 me shtatë gola në pesë ndeshje, duke qenë një nga futbollistët më të spikatur të turneut, pavarësisht eliminimit të Norvegjisë në çerekfinale.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA