Futbolli është tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të mesfushorit të Afrikës së Jugut, Jayden Adams, i cili ka vdekur në moshën 25-vjeçare, vetëm pak javë pasi përfaqësoi vendin e tij në Kupën e Botës 2026.
Sipas raportimit të eNCA, Adams ka ndërruar jetë, ndërsa shkaku i vdekjes ende nuk është bërë i ditur. Megjithatë, mediat lokale raportojnë se ekzistojnë dyshime se ai mund të ketë kryer vetëvrasje, pasi, sipas njerëzve të afërt, futbollisti kishte kohë që vuante nga depresioni. Këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Policia e Afrikës së Jugut ka bërë të ditur se ka nisur hetimet, pasi trupi i një 25-vjeçari u gjet të shtunën në mëngjes në një banesë në zonën Schotschekloof, në qendër të Kejptaunit.
Adams ishte pjesë e Mamelodi Sundowns, klub të cilit iu bashkua verën e kaluar pas transferimit nga Stellenbosch, skuadra ku u zhvillua si futbollist.
Në Kupën e Botës 2026 ai regjistroi tri paraqitje me Kombëtaren e Afrikës së Jugut, e cila u eliminua nga Kanadaja në fazën e 1/16 së finales.
Pas debutimit me kombëtaren në vitin 2024, Adams u shndërrua shpejt në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit, ndërsa paraqitjet e tij me Mamelodi Sundowns në Betway Premiership i siguruan një vend në listën për Kupën e Botës. Gjatë sezonit, ai kontribuoi me tre gola në 37 ndeshje në të gjitha garat.
Lajmi bëhet edhe më prekës pasi Federata e Futbollit e Afrikës së Jugut kishte njoftuar se Adams kishte luajtur në barazimin 1-1 ndaj Republikës Çeke vetëm një ditë pasi kishte humbur gjyshen e tij.





