Udinese ka bërë një ofertë zyrtare prej 1 milion eurosh për mbrojtësin e Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda.
Mbrojtësi kosovar zhvilloi një sezon shumë të mirë me Comon, duke dhënë kontribut të rëndësishëm me paraqitjet e tij, edhe pse jo gjithmonë ishte titullar. Performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve italiane, ndërsa Udinese është skuadra e parë që ka bërë një ofertë konkrete.
Sipas gazetarit italian Gianluca Di Marzio, Udinese i ka ofruar Comos 1 milion euro për kartonin e Vojvodës, por klubi ka refuzuar ofertën, duke e konsideruar atë shumë të ulët.
Ndërkohë, Udinese i ka propozuar futbollistit një kontratë trevjeçare, me një pagë prej 1.1 milionë eurosh neto në sezon.
“Como aktualisht e konsideron këtë ofertë si shumë të ulët. Për lojtarin është paraqitur një kontratë trevjeçare me vlerë 1.1 milionë euro neto në sezon”, raportoi Di Marzio.
Mbetet për t’u parë nëse Como dhe Udinese do të arrijnë një marrëveshje për transferimin, ndërsa ende nuk është e qartë nëse Vojvoda është i gatshëm ta pranojë këtë lëvizje, pasi synon të vazhdojë karrierën në një skuadër që do të garojë në Ligën e Kampionëve.





