Numri i aksidenteve me pasoja fatale dhe i personave që kanë humbur jetën në trafikun rrugor në Kosovë ka shënuar rritje gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, nga janari deri në qershor të vitit 2026 janë regjistruar 45 aksidente fatale, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2025 ishin 40 raste. Edhe numri i viktimave ka shënuar rritje, nga 45 persona në 46.
Eksperti i komunikacionit, Lavdim Hamiti, ka vlerësuar se mungesa e sinjalizimit rrugor, infrastruktura jo e përshtatshme dhe mungesa e investimeve në sigurinë në komunikacion janë ndër faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e aksidenteve.
Sipas tij, qytetarët nuk kanë mundësi të ndryshojnë gjendjen e rrugëve apo të vendosin sinjalizime, por duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.
“Është një zinxhir problemesh që ndikojnë deri te aksidentet. Njëra prej tyre është mungesa e sinjalizimeve, ndërsa një tjetër është infrastruktura jo e duhur. Kemi zhavorr në rrugë, kyçje pa sinjalizime dhe vende të rrezikshme që mund të shkaktojnë huti te vozitësit”, ka deklaruar Hamiti për EO.
Ai ka theksuar se gjatë sezonit veror, me rritjen e numrit të automjeteve dhe ardhjen e mërgimtarëve, rreziku për aksidente shtohet edhe më shumë.
Hamiti ka kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin masa konkrete për përmirësimin e infrastrukturës, vendosjen e sinjalizimeve dhe eliminimin e pikave të rrezikshme në rrugë.
“Për uljen e numrit të aksidenteve nuk mjaftojnë vetëm gjobat. Vetëdijesimi i qytetarëve është ai që ndikon në uljen e aksidenteve. Duhet të punohet më shumë në sigurinë rrugore”, ka thënë ai.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, përveç aksidenteve fatale, gjatë kësaj periudhe janë rritur edhe aksidentet me lëndime, nga 3 mijë e 943 raste në vitin 2025 në 4 mijë e 117 raste në vitin 2026.
Numri i personave të lënduar ka shënuar një rënie të lehtë, nga 7 mijë e 513 në 7 mijë e 482 persona. Ndërkohë, aksidentet me dëme materiale kanë rënë nga 6 mijë e 696 në 6 mijë e 8 raste.
Policia ka bërë të ditur se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 ka shqiptuar 394 mijë e 82 tiketa trafiku, krahasuar me 372 mijë e 425 tiketa në periudhën e njëjtë të vitit 2025.





